Читать онлайн книгу «Viktimë E Pallogaritur» автора Yael Eylat-Tanaka

Viktimë E Pallogaritur
Yael Eylat-Tanaka
Kjo është historia e viktimave të tjera të pushtimit gjerman në Francë, historia e nënës sime, e cila u nda nga familja e saj dhe u arratis, dhe torturat që mbetën me të përgjithmonë.
Këto janë kujtimet, siç m’i ka treguar nëna ime. Jam përpjekur ta tregoj historinë e saj me aq përpikmëri sa ma tregoi ajo, duke i renditur ditaret e shkruara, së bashku me anekdota të ndryshme që plotësuan dhe u dhanë shije historive gjatë jetës sime, pa zbukurime, duke ndërfutur interpretimet e mia të ngjarjeve. Ky nuk është një roman ankthi, ndonëse ngjarjet e treguara këtu sigurisht që ishin ankth për ata që i përjetuan. Pa dyshim që ato më dukeshin të ankthshme ndërsa i dëgjoja dhe i lexoja. Kështu që, për të shmangur sikletin për këdo që lexon këto fjalë, kam zgjedhur të përdor pseudonime sipas rastit, ndërsa përpiqesha të mbaja të pandryshuar thelbin e historisë.
Nëna ime ishte franceze dhe, herë pas here, disa fjalë dhe fraza frëngjisht shfaqen në të gjithë tekstin. Kam përfshirë përkthime kudo që është e përshtatshme. Gjithashtu, ajo jetoi dhe studioi në Itali para se të transferohej në Izrael dhe, përfundimisht, në Shtetet e Bashkuara. E thënë sërish, aty ku fjalët dhe frazat përfshihen në ato gjuhë, kam përfshirë përkthime me sa kam pasur mundësi.


VIKTIMË E PALLOGARITUR
UDHËTIMI I NJË SHPIRTI TË TORTURUAR
Kujtim

Siç iu rrëfye
JAEL EJLAT-TANAKA-s

Të drejtat e autorit © 2016, nga Jael Ejlat-Tanaka
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet, shpërndahet, ose transmetohet në ndonjë formë ose me ndonjë mjet, duke përfshirë fotokopjimin, regjistrimin, ose metoda të tjera elektronike ose mekanike, ose me ndonjë sistem të ruajtjes dhe rikuperimit të informacionit pa lejen paraprake me shkrim të botuesit, përveç në rastin e citateve shumë të shkurtra të mishëruara në rishikime kritike dhe përdorime të caktuara jo-tregtare të lejuara nga ligji i të drejtës së autorit.
PARATHËNIE
Këto janë kujtimet, siç m’i ka treguar nëna ime. Jam përpjekur ta tregoj historinë e saj me aq përpikmëri sa ma tregoi ajo, duke i renditur ditaret e shkruara, së bashku me anekdota të ndryshme që plotësuan dhe u dhanë shije historive gjatë jetës sime, pa zbukurime, duke ndërfutur interpretimet e mia të ngjarjeve. Ky nuk është një roman ankthi, ndonëse ngjarjet e treguara këtu sigurisht që ishin ankth për ata që i përjetuan. Pa dyshim që ato më dukeshin të ankthshme ndërsa i dëgjoja dhe i lexoja. Kështu që, për të shmangur sikletin për këdo që lexon këto fjalë, kam zgjedhur të përdor pseudonime sipas rastit, ndërsa përpiqesha të mbaja të pandryshuar thelbin e historisë.
Nëna ime ishte franceze dhe, herë pas here, disa fjalë dhe fraza frëngjisht shfaqen në të gjithë tekstin. Kam përfshirë përkthime kudo që është e përshtatshme. Gjithashtu, ajo jetoi dhe studioi në Itali para se të transferohej në Izrael dhe, përfundimisht, në Shtetet e Bashkuara. E thënë sërish, aty ku fjalët dhe frazat përfshihen në ato gjuhë, kam përfshirë përkthime me sa kam pasur mundësi.
Do të doja t’i ofroja lexuesit kënaqësi në këtë rrëfim, por ngjarjet në të janë pa dyshim tepër të dhimbshme për të ofruar kënaqësi. Më dhemb zemra për nënën time – dhe për kaq shumë të tjerë që kanë kaluar vuajtje të ngjashme, madje dhe më keq.

Jael Ejlat-Tanaka
Tampa 2016
PROLOG

Kjo nuk është autobiografi. Çdo fjalë e shkruar këtu është aq e vërtetë sa mund të jenë kujtimet e mia, të filtruara përmes kalimit të kohës dhe përvojave të mia. Megjithatë, shumë gjëra janë hequr nga respekti për ata që nuk janë më mes nesh, të cilët nuk mund të korrigjojnë çfarëdo ngjarje që mund të shihet vetëm nga këndvështrimi i tyre. Situata të tjera janë lënë jashtë për të shmangur çdo siklet për ata që janë akoma mes nesh.
Qëllimi i këtyre faqeve është të regjistrojnë pjesë të spikatura të jetës sime, që kurrë nuk kam pasur mundësinë t’i përshkruaj plotësisht. Po mendoj në veçanti për vajzën time, të cilën nuk doja ta lodhja me histori për ngjarje që kanë ndodhur para se ajo të lindte ose ndërsa po rritej. Më pas dolën në pah probleme më të ngutshme të jetës dhe u duk se këto kujtime ua linin gjithnjë vendin shqetësimeve më të drejtpërdrejta. Megjithësese e kaluara jonë është e ngulitur përgjithmonë në kujtesën time, ndonjëherë në skema të ngatërruara dhe të shtrembëruara, për të qenë të sigurt, por, megjithëkëtë, kujtimet tona janë pëlhura e asaj që na bën atë që jemi, duke përshkuar çdo qelizë të qenies sonë. Jam përpjekur të shoh gjithnjë përpara një të ardhme më të ndritur sesa të merrem me të kaluarën, ndonëse e kaluara ka qenë gjithmonë një pjesë e pashmangshme e asaj që isha bërë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë vetë ngjarjet; në rastin më të mirë, mund të rimodelojmë vetëm pikëpamjen dhe kuptimin e atyre ngjarjeve. Jo gjithmonë kam qenë e suksesshme.
KAPITULLI 1
FËMIJËRIA

I njoh shumë pak gjyshërit e mi. Kam vetëm kujtime të paqarta nga ana amtare e familjes, por kam një kujtim shumë më të gjallë të gjyshes sime atërore, Memé, e cila ishte një prani shumë e fortë në familjen tonë. Babai im ishte fort i lidhur me të. Ajo ishte matriarkja në familje, duke lënë në hije nënën time, për zhgënjimin e thellë të kësaj të fundit. Kur vajza ime u rrëmbye nga babai i saj, Memé më tha se ajo, vetë, ishte divorcuar nga martesa e saj e parë fatkeqe.
Familja ime rrjedh nga Turqia dhe kujtimet e mia për historitë e fëmijërisë përfshijnë jetën e paraardhësve të mi dhe kulturën e tyre. Babai im tregonte historinë e gjyshit tim, që i solli Sulltan Hamidit, këshilltar i të cilit ai kishte qenë, një papagall të bukur që e kishte kapur në tokën e tij, ose të kthimit nga vreshtat pas korrjes së rrushit, me fëmijët e hipur mbi gomerë dhe, teksa kalonin varrezat në muzg, të rriturit u tregonin atyre historitë e të vdekurve dhe fëmijët do të hapnin sytë, të tmerruar për atë që imagjinonin se çfarë po ndodhte.
Megjithëse nuk e njihja gjyshin tim, ai ishte një hebre shumë fetar dhe, si i tillë, respektoi traditën e mosrruajtjes asnjëherë të mjekrës. Nëse një flok i vetëm do të binte prej tij, ai do ta ruante atë në librin e tij të lutjeve. Ai mori një grua të re, gjyshen time Memé, pasi ajo u divorcua nga burri i saj i parë abuzues dhe kishte braktisur djalin e saj të parëlindur. Ai vetë kishte rritur fëmijë më të mëdhenj në moshë se ajo, të cilët e persekutonin, kurse ai vetë e trajtonte me dashuri dhe respekt.
Këto kujtime të pakta janë gjithçka që kam për origjinën time. Copëza të vogla të fëmijërisë sime, të mbushura mbase me disa fotografi dhe anekdota nga anëtarët e tjerë të familjes sime.
Nëna ime ishte gjithashtu turke. Nga historitë e saj të rinisë në Izmir, ajo dhe familja e saj jetuan në lagjen greke dhe armene të Izmirit. Gjyshi im kishte një dyqan porcelani e qelqi dhe i dërgoi fëmijët e tij në një shkollë misionare, të udhëhequr nga misionarë protestantë skocezë. Më kujtohet se si nëna ime rrezellinte kur këndonte himnet që kishte mësuar në shkollë dhe fliste për Z. Marrej, drejtorin, i cili e thërriste që ajo të vinte dhe të qëndronte në rreshtin e parë, në mënyrë që ai ta dëgjonte më mirë duke kënduar. Sigurisht, ato ishin himne fetare dhe emri i Jezusit dëgjohej shpesh në shtëpi, gjë që nuk i pëlqente fort babait tim.
Duke jetuar midis grekëve dhe armenëve, nëna ime mësoi t’i flasë ato gjuhë dhe të këndonte këngët e tyre, gjë që më entuziazmoi si vajzë e vogël. Ende i mbaj mend disa prej tyre, edhe pse nuk ua mësova kurrë kuptimin. Ato këngë më dukeshin shumë romantike dhe shpesh i kërkoja nënës të më mësonte greqisht. Meqenëse ajo ndoqi një shkollë misionare skoceze, i gjithë shkollimi i saj u mbajt në anglisht dhe ajo mbeti e rrjedhshme në këtë gjuhë gjatë gjithë jetës së saj.
Natyrisht, ajo fliste rrjedhshëm edhe turqisht. Kur të rriturit në shtëpi nuk dëshironin që fëmijët të kuptonin diçka, ata e kalonin bisedën në gjuhën turke kur flisnin mes tyre, derisa fëmijët të fillonin të kuptonin thelbin e bisedave të tyre.
Kur ishte grua e pamartuar, shoqja më e mirë e nënës sime në Izmir ishte Alegra Romano. Të dyja bënin gjithçka së bashku. Kam gjetur disa fotografi të të dyjave me disa mbishkrime në anën e pasme nga nëna ime për Alegrën, të shkruara në frëngjisht. Nëna ime dhe familja e saj emigruan në Francë pas Luftës së Parë Botërore, ashtu si edhe shoqja e saj, Alegra, dhe të dyja mbetën mikesha; përfundimisht, ato u martuan me dy vëllezër, babanë tim dhe xhaxhain tim, Rafaelin. Sidoqoftë, për shkak se babai im ishte shumë i dashuruar me nënën time dhe xhaxhai im, Rafaeli, ishte më tepër qejfli, tezja ime Alegra u bë fort xheloze dhe u inatos ndaj nënës sime, ndaj dhe miqësia e tyre u prish. Besoj se nëna ime ende e donte dhe e ndjente shumë mungesën e saj, pavarësisht nga përkeqësimi i marrëdhënies së tyre.
Kur nëna ime dhe familja e saj po jetonin ende në Izmir gjatë Luftës së Madhe, ata ishin dëshmitarë të masakrave të tmerrshme të komuniteteve greke dhe armene nga turqit, ngjarje e cila, që nga ajo kohë, është quajtur gjenocid. Kjo i trembi aq shumë sa nëna ime vuajti për një kohë të gjatë me ulçera të stomakut dhe makthe. Egërsia e turqve ndaj grekëve dhe armenëve që jetojnë në Turqi shkaktoi një eksod të jashtëzakonshëm të popullsisë hebreje, që kishte jetuar atje që nga dëbimi i tyre nga Spanja në vitin 1492 nga Izabela e Kastijës dhe Ferdinandi i Aragonës, me urdhër të Inkuizicionit. Komuniteti hebre në Turqi e kuptoi se pesë shekujt e mëparshëm të jetës pak a shumë të qetë në Turqi kishin marrë fund dhe të gjithë ata që kishin mjetet emigruan. Shumë u larguan në Amerikë. Familja ime e madhe emigroi në Francë dhe u vendos në Lion.

Nëna ime dhe familja e saj arritën në Francë rreth vitit 1920 dhe shkuan të jetonin me vëllain e saj të martuar, Vidal, në Lion. Ungji im ishte mjaft miqësor me dy të rinjtë, Henrin dhe Rafaelin, të cilët gjithashtu kishin imigruar në Francë nga Turqia, në të njëjtën kohë si ai. Ungjit tim i pëlqente njëri nga vëllezërit, Henri, dhe vendosi ta prezantonte me motrën e tij, dhe kështu e ftoi në shtëpinë e tij. Nëna ime më tha më vonë se ajo po bënte disa punime me gjilpëra në dhomën e ndenjes dhe babai im filloi ta ngacmonte dhe të luante me fijet e saj. Kjo ishte njohja e tyre. Ata u shoqëruan dhe u martuan pak më vonë.
Meqenëse kishin qenë të porsaardhur në Francë, të sapomartuarit kishin të ardhura të pakta, kështu që ata filluan jetën e tyre martesore në të njëjtën banesë që dy vëllezërit e ndanin me nënën e tyre. Shoqja më e mirë e nënës sime, Alegra, u prezantua përfundimisht me vëllain e Henrit, Rafaelin, kur ajo vizitoi nënën time pas martesës së saj, dhe përfundimisht edhe ata u martuan. Edhe ata jetuan në të njëjtën banesë me nënën e tyre, gjyshen time, Memé, e cila kishte një oborr të mirëfilltë mbretëror për të sunduar. Merreni me mend: Dy djem, të cilët u martuan dhe zgjodhën që të dy të ndanin një apartament të vetëm. Nga sa kuptoj, jeta nuk ishte gjithmonë shumë e lehtë për dy çiftet e reja, veçanërisht sepse gjyshja ime favorizonte Rafaelin, i cili ishte shumë më pak serioz se i vëllai. E mbaj mend që gjithnjë bënte shaka dhe qeshte. Ai gjithashtu bënte shumë dashuriçka. Nga historitë që kam dëgjuar si fëmijë, ai shpesh nuk vinte në shtëpi në mbrëmje, duke i shkaktuar hidhërim të madh nuses së tij. Përkundrazi, babai im ishte shumë i dashuruar me nënën time dhe ishte në shtëpi çdo mbrëmje, duke u treguar gjithmonë shumë i dashur me të. Ajo mbeti shtatzënë me vëllain tim më të madh pothuajse menjëherë.
Të dy çiftet e reja jetonin me nënën e tyre në të njëjtën banesë. Megjithatë, miqësia e nënës sime me Alegrën nisi pak nga pak të përkeqësohej dhe pati fërkime mes tyre. Si për ta bërë situatën më të nderë, gjyshja ime favorizonte Rafaelin dhe mënyrën e tij gazmore e të papërgjegjshme dhe ushqente një antipati përkatëse ndaj nënës sime. Sepse fakti që nëna ime ishte shtatzënë kurse Alegra jo, veçse ia shtoi inatin Alegrës.
Për fat të mirë, i parëlinduri i nënës sime ishte djalë, vëllai im, Rëné, emri hebre i të cilit ishte Salomon dhe të gjithë filluan ta quanin Momon, dhe më vonë, thjesht Momo. Pas pak, nëna ime mbeti përsëri shtatzënë, këtë herë me mua. Në atë kohë, Alegra kishte mbetur shtatzënë. Të dy nuset e reja duhej të grindeshin me vjehrrën e tyre, e cila vendosi që nëna ime të mos kishte një fëmijë të dytë aq shpejt pas të parit. Nga historitë familjare që kam dëgjuar, e kuptoj që Memé u tregua mjaft e pakëndshme me nënën time gjatë shtatzënisë së saj të dytë me mua, ndërkohë që tregohej shumë e vëmendshme ndaj Alegrës, e cila mbante fëmijën e djalit të saj të preferuar. Ka mundësi që antipatia e gjyshes sime ndaj meje të ketë nisur madje para se të lindja dhe u zvogëlua vetëm kur ajo u bë e moshuar. Më vonë gjyshi im më tha se Memé nuk e vizitoi nënën time në spital kur linda dhe, kur më sollën në shtëpi, ajo kurrë nuk iu afrua djepit tim për të parë mbesën e saj të re.
Kur isha pesë a gjashtë vjeç, nëna na tha që kam lindur në spitalin Hotel-Dieu në Lion. Si të gjithë fëmijët e vegjël, unë dhe dy vëllezërit e mi ishim mjaft kureshtarë dhe të ngazëllyer për të mësuar rreth fillimeve tona. Kjo ishte nga ato biseda të rralla për të rritur, të destinuara për të na mbajtur të qetë e të mahnitur, të paktën për disa minuta. Nëna jonë vazhdoi duke i thënë audiencës së saj të re se ky spital drejtohej nga Motrat e Bamirësisë së Shën Vinsent dë Pol, dhe se njëra nga motrat e tundte atë në shtrat, duke e nxitur me fjalët “Zgjohu, topolakja ime, paske një vajzë të bukur.” Ndihesha jashtëzakonisht krenare që jam shquar si një vajzë e bukur, duke mos e kuptuar në atë kohë që asnjë infermiere nuk do ta quante të bukur një të porsalindur. Ndërsa më ngrohte ai emocion i këndshëm, në mënyrë të paqartë e pyesja veten se pse foshnjat lindnin gjatë natës, kur nënat e tyre flinin, dhe bëhesha kureshtare se pse nëna ime do të flinte në një spital? Asnjëherë nuk më pëlqyen përgjigjet që m’u dhanë për këto pyetje.
Ndërsa isha ende shumë e vogël, here pas here mblidhja ndonjë copëz informacioni rreth fëmijërisë sime të hershme. Mamaja gjithmonë thoshte se kam qenë një foshnjë shumë e qetë, që mund të luaja në heshtje me një lodër për orë të tëra. Ajo e përmendi faktin se një herë, për shkak të qetësisë sime, kur isha e sëmurë, ajo harroi të më lyente kurrizin me një pomadë dhe, kur më në fund u kujtua dhe vrapoi te djepi im, shpina më ishte ënjtur dhe më ishte bërë e kuqe flakë; megjithatë, nuk kisha qarë për ta lajmëruar. Sigurisht, nuk e mbaja mend incidentin. Në të kundërt, pjesa tjetër e fëmijërisë sime ishte gjithçka veç e qetë.
Farat e respektit për veten dhe vetëvlerësimit mbillen herët. Pyes veten tani nëse ajo ngjarje kishte futur tek unë konceptin që nuk ia vlente të kujdeseshin për mua, madje as vetë nëna ime.
Kur isha rreth tre vjeç, familja ime u zhvendos në Valencë, rreth njëqind kilometra në jug të Lionit, një qytet mesjetar në lumin Rón, ku dy xhaxhallarët e mi ishin vendosur më parë. Këtu edhe u rrita, e vendosur në mes të dy vëllezërve të mi, Rëné, një vit e gjysmë më i madh, dhe Zhaku, dy vjet më i vogël. Gjyshja ime nga babai, Memé, jetonte me ne dhe, herë pas here, gjyshi im nga babai do të rrinte me ne për vizita të gjata. Ai ishte jashtëzakonisht i dashur me ne të tre fëmijët. Ai ishte një hebre fetar dhe ende arrij ta shoh me sytë e mendjes sime duke u lutur çdo mëngjes, i kthyer drejt Jeruzalemit, me kokën e mbuluar me talit dhe tefilimin në krahun e majtë. Ne jemi hebrej sefardikë dhe, si të tillë, ligjet dhe mënyra e jetës hebraike respektoheshin në shtëpi, veçanërisht nga nëna dhe gjyshja ime. Nuk bëhej asnjë punë në Shabat ose gjatë Ditëve të Shenjta. Kjo është e çuditshme, duke marrë parasysh arsimimin dhe ekspozimin e prindërve të mi në një moshë të re ndaj misionarëve të krishterë.
Më kujtohet se si mamaja ndizte qirinjtë në pragun e vatrës, në dhomën e saj të gjumit, në prag të Shabatit. Për Ditët e Shenjta, ajo i mbulonte shtretërit me mbulesa dhe jastëkë dantelle. Deri më sot, aroma e zymbylëve, karafilave dhe mimozave më mbart ndër vite në apartamentin tonë, në kohën e Pashkës, kur mamaja zbukuronte dhomat me këto lule dhe mbulesën e shtratit prej dantelle të çmuar, të bëra nga vjehrra e xhaxhait tim.
Isha njohur me atë dantellë një ditë gjatë fëmijërisë, në një udhëtim për në Lion. Nëna ime na mori të treve për të qëndruar pak me vëllain e saj dhe, kur nëna ime pa punën e ndërlikuar me dantellë të bërë nga vjehrra e tij, porositi një mbulesë shtrati posaçërisht për të. Ajo e mori atë diku më vonë dhe e përdorte vetëm në Ditët e Mëdha të Shenjta. Më vonë mësova se kjo bëhej për shkak se e shkreta grua dhe djali i saj kishin parë të gjithë familjet e tyre të dëboheshin nga gjermanët në Dransi, një kamp përqendrimi në jug të Parisit, dhe askush nuk mori më lajm prej tyre. E shkreta halla ime duhet të ketë pasur një zemër të thyer duke menduar për vdekjen agonuese të nënës dhe babait të saj të varfër, vëllezërve të saj të shumtë, dhe më pas, në 1944, vdekjen e djalit të saj, në moshën 17 vjeç, në një bombardim ndërsa ai po shpëtonte njerëzit në një strehim. Djali i hallës sime u dekorua më vonë nga qyteti i tyre pas vdekjes, por jam e sigurt se ajo do të donte më shumë djalin e saj të gjallë sesa medaljen. Sa herë e falënderova Zotin që prindërit e mi vdiqën në shtretërit e tyre dhe jo në tmerret e Holokaustit.
Shumë vite më vonë, kur vëllai im, Rëné, shkoi në Izrael për të vizituar prindërit tanë, nëna ime ia dha si një dhuratë atë mbulesën e shtratit prej dantelle të mrekullueshme gruas së tij, e cila më vonë ma dha mua si kujtim të nënës sime.

****

Është Hanukah 1991. Po ndizja qirinjtë këtë mbrëmje kur papritmas u shfaq një kujtim i fëmijërisë. Është përsëri Hanukah, këtë herë para Luftës së Dytë Botërore, dhe jemi mbledhur të gjithë në kuzhinën tonë në Burg-le-Valons rreth hanukiah. Duhet të kem qenë rreth nëntë apo dhjetë vjeç. Kishim një vizitor me familjen, njëfarë z. Jerushalmi, ndoshta mik i prindërve të mi, por nuk e kisha takuar kurrë më parë. Atë mbrëmje, ishte radha ime për të ndezur hanukiah, ndërsa ne të tre fëmijët e bënim me radhë çdo mbrëmje. Ndërsa po bëhesha gati të ndizja qiriun e parë dhe po fillonim të thonim bekimin, z. Jerushalmi papritmas ndaloi gjithçka me një thirrje të ankthshme drejtuar prindërve: “Pa dyshim, vajza nuk do të ndezë hanukiah; ajo mund të jetë e papastër!” Isha aq e paditur për gjërat e të rriturve sa, përveç poshtërimit të të quajturit “e papastër” me konotacionin e tij të ndyrë, veçanërisht në publik dhe në prani të babait dhe vëllezërve të mi, nuk e kuptova se çfarë donte të thoshte mysafiri ynë. Duke qenë mikpritësit e tij, prindërit e mi më kërkuan që t’ia kaloja qiriun njërit prej vëllezërve të mi kurse unë nisa të pyesja veten se cili ka qenë mëkati im, nëse kishte ndonjë. Nuk më kujtohet që të kisha pasur ndonjë shpjegim më vonë, por incidenti përforcoi tek unë një ndjenjë ostracizmi që kisha ndjerë gjithmonë, pasi më kujtohej vazhdimisht se, duke qenë vajzë, nuk mund të bëja atë që u ishte lejuar vëllezërve të mi.
Në fund e kuptova se çfarë donte të thoshte mysafiri ynë. Ai duhet të ketë qenë një nga hebrenjtë ortodoksë, që i konsiderojnë gratë si “enë të papastra”. Shumë vite më vonë, në Izrael, kur babai dhe vëllai im, Zhaku, ishin kaq të zhytur në studimin e tyre të budizmit dhe i lexonin me zë të lartë njëri-tjetrit nga librat e tyre, rastësisht kalova pranë dhomës ku ishin ulur dhe dëgjova të lexonin, “…car la femme est impure…” (…sepse gruaja është e papastër…). Dola nga dhoma e tronditur që, edhe pse nëna, vajza ime dhe unë ndodheshim në shtëpi, ata nuk ngurruan të lexonin me zë të lartë një material të tillë fyes. Natyrisht, një përvojë e tillë nuk do të ma bënte të pëlqyeshme studimin e kësaj filozofie, ashtu siç më inkurajoi babai im.
Na mësuan shumë pak për judaizmin, megjithatë disa tradita ishin ngulitur thellë në familjen tonë. E dinim se ishim hebrenj dhe, kur herë pas here ktheheshim në shtëpi nga shkolla duke qarë se fëmijët na kishin quajtur hebrenj të ndyrë, babai ynë do të na thoshte se duhet të ishim krenarë që jemi hebrenj. Përkundër pohimit të tij, ndiheshim ndryshe nga fëmijët e tjerë dhe nganjëherë nuk na pëlqenin. Festivalet tona nuk ishin ato të miqve tanë dhe ne nuk shkonim në kishë ose katekizëm, siç bënin ata, dhe dita jonë e pushimit ishte e shtuna në vend të së dielës.
Në Pashkë, pasi shtëpisë iu bë një pastrim i plotë nga të gjitha gjurmët e ushqimeve të fermentuara, hëngrëm matzoh për tetë ditë. Nata e parë i kushtohej gjithnjë Seder me Hagadah e gjatë, që tregonte çlirimin e skllevërve hebraikë nga Egjipti, të lexuar nga babai im.
Në atë kohë, posaçërisht për familjen time me theksin e saj në traditë, nuk kishte asnjë diskutim që do të kremtoja Bat Mitzvah tim. Madje nuk isha në dijeni që një ceremoni e tillë ishte kryer për vajza të reja në vende të tjera, por vëllai im, Rëné, filloi të studionte për BarMitzvah e tij, që do të shënonte hyrjen e tij në burrëri dhe komunitetin hebre, kur të mbushte moshën 13 vjeç. E doja shumë, ndihesha shumë afër tij dhe imitoja gjithçka që ai bënte. Duke e dëgjuar tek mësonte përmendësh mësimet e tij rreth Trembëdhjetë Artikujve të Besimit të Maimonides, i mësova edhe unë, dhe rreshtat e para të një lutjeje në veçanti janë ende të qarta në mendjen time: “Oui, je promets du fonds de mon âme de te rester fidèle, o, mon père et mon dieu…” (Po, unë premtoj nga thellësia e shpirtit tim që të qëndroj besnik ndaj teje, o babai im dhe Zoti im…)
Ne agjëruam për Yom Kippur, fëmijët për aq kohë sa mund të duronim, dhe, kur ushqimet e përgatitura për ne në tryezën e kuzhinës na tundonin përtej kontrollit, e ndërprenim agjërimin, merrnim fshehurazi reçicat dhe trovadot e shijshme, biskotat tradicionale të zhytura në mjaltë, që gjyshja jonë i kishte pjekur për prishjen e agjërimit.
Kjo ishte pak a shumë shtrirja e edukimit tonë fetar. Nëna dhe Memé na mësuan atë që u kishin mësuar, por babai ynë preferonte që ne të mësonim në një mënyrë më të ndriçuar. Ai nuk besonte se ia vlente të jetoje duke u bazuar në të gjitha traditat. Sot, pikëpamja e tij do të konsiderohej si ajo e një hebreu të reformuar, duke lejuar që mendja e tij të vërë në dyshim dhe të interpretojë Shkrimet më intelektualisht. Si rezultat, babai im ishte më pak ortodoks në kuptimin e tij të besimit hebre se sa nëna ose gjyshja ime, dhe në vend që të shihte se fëmijët e tij po e mësonin fenë në atë që ai e shihte si një mënyrë të ngushtë, ai vendosi që asnjë fe nuk duhej të na jepet. Pasojat e paparashikuara të këtij vendimi do të zbuloheshin në një të ardhme jo shumë të largët me një tragjedi që do të trondiste familjen tonë.
Por jam duke e parakaluar veten.
Kishte kaq pak hebrenj në Valencë para Luftës së Dytë Botërore saqë nuk kishte tempull ose sinagogë në qytet. Sidoqoftë, një vit, prindërit e mi vendosën të kryenin shërbime në apartamentin tonë gjatë Ditëve të Mëdha të Shenjta. Meqenëse një kuorum prej dhjetë burrash është i nevojshëm për të kryer lutjet, me vështirësi u gjetën aq burra hebrenj në Valencë dhe u ftuan në shtëpinë tonë. Prindërit e mi zhvendosën shumicën e orendive nga dhoma e ngrënies dhe e mbuluan dollapin e rrobave me një çarçaf të bardhë. Një Tora ishte sjellë nga një prej tempujve në Lion dhe ishte vendosur në atë Ark të improvizuar. Gratë uleshin në dhomat e tjera dhe shikonin nga hyrja e derës ndërsa burrat luteshin në “shenjtërore”. Më kujtohet paksa një incident gjatë atyre Ditëve të Shenjta kur gjatë shërbesave një nga burrat u ul në shenjtërore dhe kryqëzoi këmbët, duke e vendosur njërën këmbë në majë të gjurit të kundërt. Kjo krijoi mjaft trazira në mesin e burrave të tjerë, që e qortuan për mungesën e respektit në këtë vend “të shenjtë”. E përmend këtë si një shembull se sa i shenjtë ishte judaizmi për familjen time, përkundër qëndrimit dhe dekretit modern të babait tim që fëmijëve të mos u jepej ndonjë edukim i veçantë fetar.
Atë vit, meqë do të kishim një “tempull” në shtëpinë tonë, së bashku me shumë të ftuar, nëna e vuri tezen time, Alegrën, të më qepte një fustan të ri prej mëndafshi. Ishte ngjyrë blu e çelët dhe fundi ishte me pala të holla. Provat në shtëpinë e tezes dhe gëzimi im që do të vishja një fustan të ri kaq të lezetshëm gjatë Ditëve të Shenjta nuk kishte kufij! Mjerisht, nuk iu binda prindërve të mi ose bëra ndonjë prapësi një javë para festivalit dhe u ndëshkova atje ku më dhembte vërtet: kotësia ime. M’u ndalua të vishja fustanin tim të ri, i cili rrinte në varëse dhe ishte gati e dukej i mrekullueshëm për të gjithë që mund ta shihnin në varëse, por jo mua të veshur me të! Dhe nuk e kam veshur kurrë, sepse befas hodha shtat dhe fustani më rrinte shumë i vogël. Ky zhgënjim më preku mjaft thellë, sepse e kuptova që duhet të kisha qenë jo vetëm një telash për prindërit e mi, por sigurisht mjaft mendjemadhe. Ende më duket sikur i dëgjoj miqtë e nënës sime, duke komentuar se çfarë vajze të vogël të bukur që kishte, dhe nënën duke u përpjekur të frenonte atë që padyshim më kishte hipur në kokë. Shoqja ime më e mirë kishte një pasqyrë, në të cilën admiroja kaçurrelat e mia të gjata, dhe babai u dëshpërua deri në atë pikë sa ai u betua se do të m’i priste të gjithë flokët ndërsa flija nëse nuk do të ndaloja së kundruari atë pasqyrë! Nuk mund të besoj se e kishte me gjithë mend për këtë, edhe pse atëherë i besoja.
Asnjëherë nuk kam ndalur së shikuari veten në pasqyrë.
Kur ishim ende shumë të vegjël, nëna na çoi të treve në Lion për të qëndruar me familjen e vëllait të saj. Ata jetonin në pjesën e vjetër piktoreske të Lionit, Place St. Jean, dhe ende kam disa kujtime të shkëputura nga ato ditë, duke ushqyer pëllumbat në Place des Terreaux, ose duke u ulur në utorak në një nga dhomat e gjumit. Një të shtunë në mëngjes, kur po largohej nga Temple du Quai Tilsitt, nëna ndaloi të fliste me një zotëri, që e kishte të njohurin e saj, në shkallët e tempullit kurse unë iu hodha, e përqafova dhe e putha sepse ai më tha diçka të mirë. Më kujtuan me qortim se vajzat e vogla nuk përqafojnë dhe puthin zotërinj të panjohur. Tashmë isha impulsive, por kurrë nuk mund t’i rezistoja një buzëqeshjeje dhe mirësie. Shumë vite më vonë, nëna më tha se ajo ishte ndarë përkohësisht nga babai kur na çoi në Lion sepse vjehrra e saj, Memé, po ia bënte jetën të mjerueshme dhe babai dukej sikur i kushtonte më shumë vëmendje nënës së tij sesa asaj. Ai i shkroi asaj disa letra dashurie, duke e lutur që të kthehej dhe duke i thënë asaj se sa bosh ndihej shtëpia pa të dhe fëmijët. Ai i shkruante se e kishte marrë malli ta dëgjonte duke kënduar dhe se e donte. Ne tashmë ishim kthyer në shtëpi dhe kishin kaluar shumë vite që kur ajo m’i tregoi ato letra.
Siç u përmend më herët, vëllai i babait tim, Rafaeli, jetonte me familjen tonë në Valencë, së bashku me gruan e tij, Alegra dhe djalin e tyre, Samiun. Samiu ishte fëmijë i vetëm dhe ai u rrit me ne dhe e quante vëllain tim, Rëné, frére-cousin (vëlla-kushëri). Thuhej se gjyshja Memé e adhuronte atë sepse ishte fëmija i djalit të saj të preferuar. Ajo gjithashtu favorizoi vëllanë tim, Rëné, sepse ai ishte i parëlinduri i familjes. Rëné ishte një fëmijë shumë i mirë, i qetë dhe serioz e punëtor, me një dhunti për muzikë. E admiroja shumë dhe do të mësoja përmendësh çfarëdo mësimi që e dëgjoja të recitonte kur bënte detyrat e shtëpisë. Kisha një kujtesë të mirë dhe kjo ishte përgatitje e mirë për klasat e mia më vonë; por, ndonëse isha një studente e mirë, isha edhe rebele. Më pëlqen më tepër të luaj me kukullat e mia sesa të bëj ndonjë gjë tjetër! Një herë, Rëné dhe mua na ngarkuan me thurjen e një trikoje, secilin për thurjen e gjysmës së saj; në kohën që Rëné kishte mbaruar gjysmën e saj, dy mëngët dhe jakën, unë ende po hasja vështirësi me pjesën e përparme. Punimi në shtiza ishte i vështirë, megjithatë ai ishte aq i zoti në të, kurse unë isha shumë dembele dhe doja vetëm të luaja. Gjithashtu, tregohesha e padisiplinuar dhe e pacipë, duke ua kthyer fjalën prindërve të mi. Duhet të kem qenë goxha telash! Ndihesha e padëshiruar, veçanërisht kur më krahasonin në mënyrë të pafavorshme me vëllain tim të madh, i cili nuk mund të bënte keq. Kur vështroj nga e kaluara, e kuptoj që gjithmonë jam ndjerë shumë afër tij dhe e kam dashur gjithmonë shumë. Ma merr mendja se kam mësuar ta dua duke e imituar! Kjo dashuri e thellë më ka mbetur gjithë jetën. Me sa duket, gjithçka që mësojmë si fëmijë na formon dhe ngjyros personalitetin tonë përgjithmonë. Nuk ka pasur rivalitet të vëllezërve dhe motrave mes të dyve, pasi nuk mbaj mend të kem ndjerë ndonjë xhelozi ndaj tij dhe besoj se dashuria dhe afrimiteti i thellë mes nesh më kanë mbajtur që të mos zemërohem pavarësisht nga qëndrimi i prindërve dhe gjyshes ndaj meje dhe lavdërimet e tyre të vazhdueshme për vëllain tim.
Kur Rëné ishte nëntë vjeç, ai u regjistrua në shkollën e muzikës. Të gjitha lutjet e mia për t’u regjistruar gjithashtu u anuluan: Unë isha vajzë dhe nuk më lejohej të bëja gjëra që bënin djemtë. Rëné shkëlqeu edhe në këtë, dhe shumë shpejt filloi të mësonte të luante klarinetë dhe më në fund u bashkua me Orkestrën e Valencës si klarinetist. Një shok i shkollës sime, që ndiqte të njëjtën shkollë muzikore, më tha me admirim se vëllai im ishte “hors concours”, që do të thotë përtej vlerësimit dhe lavdërimeve. E doja dhe gëzohesha me lavdinë e tij dhe isha e lumtur kur ktheja faqet e partiturës kur ai luante klarinetën në shtëpi. Banesa jonë ushtonte gjithnjë nga muzika e tij, kur ai po praktikonte luspat e tij ose kur luante pjesë si Shéhérazaden e Rimski-Korsakoffit ose Kavalerinë e Lehtë të von Soupé ose Marshin Persian. Në ditët e sotme, sa herë që dëgjoj Koncertin e Klarinetës të Ueberit ose Koncertin e Klarinetës të Mozartit, ndihem përsëri ajo vajzë e vogël që hap faqet për vëllain e saj të dashur. Sa e doja dhe e admiroja! Sigurisht, ende e dua, pavarësisht nga të gjitha vitet, ndryshimet, largimet dhe afrimet – ai është dhe do të jetë gjithmonë spiranca ime, vëllai që shikoj me adhurim, vëllai që e doja sepse ai ishte gjithçka që unë nuk isha: i qetë dhe serioz, i mirë dhe i dashur, kurse unë e tërbuar, e gjallë, rebele... dhe e padëshiruar. Mos ndoshta fakti që ishte aq i dashur e bënte aq të sigurt për veten dhe të dëshiruar, apo ishte i dashur sepse ishte i dëshiruar në radhë të parë? Dyshoj se ishte e para dhe besoj se të duash një fëmijë është dhurata më e madhe që prindërit mund t’i japin atij dhe asaj fëmije, dhe kjo është rrënja e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit.
Shkova në një shkollë vetëm për vajza. Shkolla e djemve ishte e ndarë me anë të shkollës së infermierisë dhe mbaj mend se në moshën njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç bëhesha kureshtare pse vajzat e klasave më të larta ishin aq të interesuara për djemtë. Një herë, para se të fillonte mësimi, më thanë se vëllai im, Rëné, ishte përplasur nga një makinë. Dola nga oborri dhe e pashë të shtrirë në rrugë, me një turmë që e rrethonte. Nuk mund të mos qaja duke e parë të shtrirë në trotuar dhe me dhimbje. Shumë më vonë, e identifikova atë dhimbje kur lexova një letër nga poetja franceze, Madam dë Sévinj për vajzën e saj të sëmurë, që thoshte: “J’ai mal a votre gorge…” (ndihem keq kur të dhemb fyti)
Më pëlqente shkolla. Më pëlqente të mësoja dhe duhet të kem qenë një fëmijë i zgjuar sepse e anashkalova klasën e dytë. Të qenit një nxënës yll më bëri të përkëdhelurën e mësueses në shumicën e klasave të mia. Sidoqoftë, unë me shoqet e mia e kishim frikë drejtoreshën. Zonjushë Herbet ishte një grua jashtëzakonisht e rreptë, ajo ishte e pamartuar dhe një tmerr i vërtetë për të gjitha ne vajzat. Çfarë befasie ishte ajo për mua, se! Fillova ta dua zonjushë Herbet dhe jam e sigurt se ajo më donte mua. Arrija ta lexoja dashurinë dhe miratimin në sytë e saj, madje më ftoi edhe në banesën e saj për të pirë çaj me të pas shkollës. Banesa e saj ndodhej në katin e dytë të shkollës dhe ecnim në majë të gishtave me druajtje kur kalonim para derës së saj, gjatë rrugës për në klasa. Mbaj mend që një ditë ajo më thirri në klasë dhe më kërkoi që ta thoja përmendësh mësimin tonë për atë ditë. Me turp të madh dhe pas një heshtje të gjatë, e pranova se nuk e kisha studiuar mësimin. Ajo u përgjigj: “Shumë keq, mund të ulesh. Po të vë zero”. Kjo zero ishte një notë shumë e keqe në regjistrin tim dhe u ndjeva mjaft e poshtëruar. Zonjushë Herbet thirri disa nxënës të tjerë dhe, duke i dëgjuar ata, qeshë në gjendje të mësoja përmendësh teoremat e gjeometrisë, që nuk i kisha studiuar një natë më parë. U pëshpërita shokëve të mi se e dija mësimin tani dhe, me shumë entuziazëm, ata i thanë mësueses se mund ta thoja tani përmendësh. Zonjushë Herbet më thirri përsëri dhe unë e thashë përmendësh teoremën pa asnjë gabim. E gjithë klasa nisi të brohoriste dhe iu lut mësueses të ma hiqte notën pakaluese. U ndieva tepër e lehtësuar kur ajo veproi kështu. Çfarë fitoreje që ishte!

****

Gjatë një prej udhëtimeve të mia të fundit në Francë, shkova për të parë shkollën time fillore përgjatë Rónit. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Arrija të nuhasja edhe erën e shkumësit! Me lot në sy, kujtova fëmijërinë time të pafajshme që kishte kaluar. Doja të vrapoja dhe t’u thoja prindërve të mi se ndodhesha përsëri në shtëpi dhe kisha parë shkollën time… por, natyrisht, ata nuk gjendeshin askund; kishin shkuar bashkë me fëmijërinë time dhe pjesën më të mirë të jetës sime. Sa shumë doja t’u tregoja atyre gjithçka që kisha parë dhe përjetuar; sesi rrugët që dukeshin aq të mëdha, kur isha fëmijë, ishin tani kaq të ngushta. Doja t’u thosha se ndodhesha përsëri në parkun e bukur ku nëna na çonte të tre fëmijët, se kisha takuar miqtë tanë të vjetër, që ende jetonin në banesën e tyre në rrugën tjetër, dhe se ata nuk kishin ndryshuar aspak. Ata më thanë se Martina, shoqja ime, tani ishte infermiere dhe jetonte në Gjermani. Sa shumë doja të ndaja me ta gjithë këtë nostalgji… por, natyrisht, nuk munda. Ndjeva sikur i kisha humbur përsëri dhe e përjetova rishtas pikëllimin tim. Ndalova tek boulangerie, ku blenim dikur bukën dhe ëmbëlsirat, dhe e gjeta pikërisht siç e mbaja mend, me të njëjtat aroma, të njëjtën larmi bukësh të ngrohta nga furra, por nuk ishte e njëjta.
Është e vërtetë që nuk mund të kthehesh pas në kohë.
Lojërat që luanim dikur si fëmijë... Disa mëngjese, babai na thërriste nga shtrati i tij duke pyetur nëse ishim zgjuar. Nëse do të ishim, ai do të thoshte: “Parlons de lit à lit” (Le të flasim nga shtrati në shtrat). Ne do të fillonim të bisedonim, duke u bashkuar përfundimisht në shtratin e tij, por gjithmonë prisja që ai të na tregonte histori në lidhje me “l’Italie”, duke përfytyruar pamje me diell, por ai do të më korrigjonte dhe do të më kujtonte se po flisnim “de lit à lit”, një aliteracion.
Kisha edhe unë kukullat e mia. Doja një në veçanti, cila kishte karrocën e saj që ia kisha pajisur me jastëk dhe batanije. Një ditë, ndërsa luaja me këtë kukull, kuptova që nëna ime kishte dalë për të bërë pazar dhe më kishte lënë në shtëpi vetëm me gjyshen time, e cila më mallkonte përgjithmonë dhe unë nisja të qaja e dëshpëruar nga frika se mos nëna ime nuk do të kthehej kurrë. Ende e kujtoj dhimbjen që ndjeja dhe frikën se mos nuk e shoh më kurrë.
Gjyshja ime kishte një urrejtje të pakuptueshme ndaj meje. Ajo shpesh më mallkonte dhe nëna ime nuk guxonte të më mbronte. Babai im, djali i saj, nuk do të guxonte ta ofendonte duke e kundërshtuar me forcë. Për shembull, ajo ishte shumë e zonja me gishtat dhe gjithmonë bënte punime me gjilpërë. E pyeta një herë, për të më treguar se si të bëja thembrën e disa çorapeve, dhe ajo u përgjigj: “Mëso vetë, siç kam bërë dhe unë!” Në mënyrë të pafajshme, duke dashur t’i hyja në zemër, i thashë: “Por ti je një amvisë e përkryer”, që ishte një kompliment në ato ditë. Përgjigja e saj ishte: “Mos e arrifsh kurrë ditën që të bëhesh një amvisë e përkryer!” Vrapova për t’i treguar nënës, e cila u trondit aq shumë saqë më dërgoi të pyes babanë se çfarë do të thoshte kjo. Babai më pyeti se ku e dëgjova dhe, kur i thashë se ma kishte thënë gjyshja Memé, ai u zbeh në fytyrë, por nuk bëri asgjë. Ajo e dinte që mund të bënte ose të thoshte gjithçka dhe askush nuk do ta kundërshtonte asnjëherë.
Një herë tjetër ajo tha: “Que te quedaras en la cuna!” (Duhet të kishe vdekur që në djep!). Nuk është çudi që kisha frikë se do të braktisesha nga nëna ime në duart e një shtrige të tillë!
Në atë kohë, kur isha rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeç, shkolla jonë shpërndau disa lloje këpucësh ose nallanesh për fëmijët në nevojë. Drejtori i shkollës së djemve ishte përgjegjës i programit dhe, kur unë iu paraqita për të marrë nallanet, ai më preku në një mënyrë të papërshtatshme. Më erdhi aq turp sa nuk i thashë gjë askujt.
Më pas një shitës ushqimesh në rrugën tjetër, ku nëna na dërgonte për pazar, bëri të njëjtën gjë në mes të ditës. Këtë herë i thashë nënës dhe të dy, ajo me babain, shkuan për t’u ballafaquar me të, por ai e mohoi atë gjë.
Më vonë, u shtrova në spital në Granges Blanches në Lion dhe një praktikant i ri më preku në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa po më ekzaminonte. Sërish u thashë prindërve të mi dhe ata bënë goxha fjalë me të, por ai përsëri mohoi gjithçka.
Vite më vonë, në Itali, një prift më përqafoi në zyrën e tij dhe më futi duart nën bluzë. E raportova te peshkopi, por, natyrisht, prifti e mohoi.
Në ato ditë, zërat e grave nuk kishin aq peshë sa sot, edhe pse edhe në këto ditë, ato duket se kanë pengesa të larta për të kaluar.
Gjatë gjithë jetës sime, burrat që kisha mbi vete shfrytëzonin postin e tyre me vërejtjet ose sjelljet e tyre, dhe e vetmja gjë që mund të bëja ishte të largohesha, nëse nuk doja të toleroja atë sjellje. Gjithmonë kam punuar për presidentin ose partnerin e vjetër të një firme dhe, për fat të keq, nuk kishte asnjë mbi këta burra, të cilit mund t’i ankohesha, dhe ata dukej se e shfrytëzonin atë situatë. E vetmja herë që raportova ishte në zyrën e papunësisë, ku më thirrën mua dhe shefin tim në një seancë dëgjimore, por, pasi isha e re në Shtetet e Bashkuara dhe ende nuk flisja anglisht, u penalizova nga zyra e papunësisë që kisha “gënjyer”.
Për të qenë të sigurt, mënyrat e vjetra për të bërë gjërat i trondisin brezat e sotëm. Ishte diçka e zakonshme t’i qëlloje me shuplakë një fëmije dhe, në pjesën më të madhe, askush nuk vdiq. Por ky nuk është lloji i abuzimit për të cilin po flas. E kam fjalën këtu për përfitimit ndaj atyre që nuk mund të mbrojnë veten, për një arsye ose një tjetër, qoftë për shkak të moshës së tyre rinore ose gjinisë së tyre; kulturën ose forcën e tyre fizike.
Në të vërtetë, abuzimi i më të dobëtit nga më i forti ka ekzistuar gjithmonë dhe vetëm tani gratë e fëmijët kanë filluar ta nxjerrin në dukje; gjithashtu media është bërë më e ndjeshme për të eksploruar histori të tilla jo të këndshme.
Abuzimi ka marrë shumë forma nëpër epoka dhe nëpër kultura, nga qëllesa me gurë deri te futje pykash nëpër kyçet e duarve dhe këmbëve gjoja për blasfemi, tërheqje zvarrë dhe shqyerja më katërsh për tradhti të lartë ose djegie njerëzish. Të gjitha këto mizori e meritojnë nekrologjinë e tyre, një lutje dhe vendosmëri që kurrë të mos lejohen të përsëriten.
Sado e tmerrshme të ishte ajo kasaphanë, çdo vuajtje e shkaktuar ndaj ndonjë krijese të pafuqishme, duhet të konsiderohet e neveritshme dhe e dënueshme.
Kur isha nëntë apo dhjetë vjeç, i kisha hequr bajamet dhe adenoidet. Në atë kohë, ky operacion bëhej pa anestezi. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse të rriturit përgjegjës mendonin se ishte në rregull që një fëmijë t’i nënshtrohej një vuajtjeje të tillë thjesht ngaqë fëmija ishte i pafuqishëm, qoftë për shkak të moshës, ose ngaqë veprohej kështu nga zbatimi i kufizimeve. A nuk kishin ata të rritur kujtime nga fëmijëria e tyre për t’u kthyer pas në kohë? Mos vallë, me sa duket, operacioni ishte kaq i shpejtë, sa do të ishte njësoj si të hiqje një leucoplast, dhe fëmija së shpejti do ta harronte atë? Ja ku po shkruaj për të gjitha këto shumë vite më vonë, ende e traumatizuar me dhimbje nga përvoja.
Më kishin mbështjellë në një çarçaf të palosur në të gjithë trupin, si një suxhuk, dhe një infermiere më kapte nga gjunjët dhe më mbante kokën mbrapa në mënyrë që kirurgu të mund të punonte brenda gojës sime. Britmat e mia nuk kishin rëndësi; në fakt, ato e ndihmuan atë të fuste morsën në gojë dhe, në një ortek dhimbjeje të jashtëzakonshme përvëluese, nga e cila mendova se do të vdisja, kirurgu punoi brenda gojës time. Nuk më kujtohet se si merrja frymë mes gjakut që rridhte, gishtërinjve të tij, asaj morse të mallkuar dhe infermieres që më mbante kokën prapa. Më besoni, ajo përvojë nuk ishte aspak si heqja e shpejtë e një leukoplasti.
Vajza ime pësoi një fat të ngjashëm, por, për fat të mirë, asaj iu dha eter. Sidoqoftë, kur e dëgjoje atë duke treguar historinë, vetë veprimi i të shtrënguarit fort në prehrin e shoqëruesit të kirurgjisë me kokën të shtyrë mbrapa, e pazonja për të bashkëpunuar dhe për të marrë pjesë në kujdesin e saj, ishte dërrmues për të. Ajo ndihet e traumatizuar deri më sot nga ajo përvojë e një procedure që, për kaq shumë të rritur të mjekuar ndryshe, nuk është asgjë më shumë sesa një shqetësim i përkohshëm.
Në një kohë tjetër, ndërsa ishim në kamp, unë me shoqet e mia hëngrëm shumë kumbulla, së bashku me bërthamat e tyre, gjë që më çoi në një sulm të apendesitit. Kirurgu ynë i zakonshëm ishte larg, kështu që një mjek i vjetër më operoi dhe e bëri shkel e shko operacionin. Të nesërmen iu desh të hapte përsëri plagën për të pastruar një infeksion në stomakun tim, por këtë herë ai operoi pa anestezi. Ende arrini t’i dëgjoni britmat e mia në Nju Jork Siti!
Ne u rritëm. Rëné u bashkua me Djemtë kurse unë u lejova të bashkohem me Vajzat.
KAPITULLI 2
GJERMANIA PUSHTON FRANCËN

Unë isha 12 vjeç dhe jetoja me familjen time në Burg-le-Valons kur filloi Lufta e Dytë Botërore, në shtator të vitit 1939. Kam dëgjuar të rriturit duke folur për Nevil Çambërlein, atëherë kryeministër britanik, i cili kishte shkuar në Gjermani për t’u përpjekur të bindte Hitlerin për të qenë më pak fanatik në politikën e tij të aneksimit (ai tashmë kishte aneksuar Austrinë dhe Sunderlandin në Çekosllovaki). Ne kishim parashikuar luftë pas ngritjes së Hitlerit në Gjermani, kur ai më në fund mori Dancigun (i quajtur Gdansk tani) në Poloni, më 1 shtator të vitit 1939. Ishin bërë thirrje ndërkombëtare dhe organizuar konferenca për të shmangur atë katastrofë, me Nevil Çambërlein që doli me parullën “Paqe në kohët tona”, me të cilën ai dukej se qetësonte Hitlerin dhe botën. Në Francë, ne këndonim këngë patriotike para luftës, duke sfiduar Hitlerin që të vinte në vijën Mazhino, një vijë mbrojtëse e ndërtuar përgjatë kufirit me Gjermaninë, por duke lënë kufirin belg të pambrojtur dhe, përmes së cilës, hordhitë gjermane përfundimisht pushtuan Francën. Por, në harkun kohor të dhjetë muajve, forcat franceze u mundën, pësuan disfatë dhe u mposhtën nga ushtria gjermane që kaloi Vijën Mazhino.
Çfarëdo lloj paqeje që të ishte rënë dakord midis Francës dhe Gjermanisë, zgjati vetëm disa muaj dhe në vitin 1940 ushtria franceze kapitulloi kurse ushtritë gjermane pushtuan Francën. Media franceze shumë nacionaliste vazhdonte të këndonte këngë popullore, duke e tallur Hitlerin dhe duke e sfiduar atë për të ardhur në Vijën Mazhino, një bunker i fortifikuar, i ndërtuar midis Francës dhe Gjermanisë dhe që kishte për qëllim të ndalonte ushtritë pushtuese gjermane. Në vend të kësaj, ushtritë e Hitlerit anashkaluan frontin dhe Vijën Mazhino, duke përshkuar në vend të tyre Belgjikën e pambrojtur dhe duke vazhduar rrugën për në Paris.
Një ditë, shoku më i mirë i Rëné erdhi në shtëpinë tonë, i zbehtë dhe i prishur në fytyrë, dhe na tha se një armëpushim ishte kërkuar nga Maréshal Péten dhe se Franca e kishte humbur luftën. Qeveria franceze ishte larguar nga Parisi dhe ishte strehuar në Vishi, kurse forcat gjermane kishin pushtuar Francën.
Qeveria franceze u largua në Vishi, në qendër të Francës, nën drejtimin e plakut Maréshal Péten dhe kryeministrit Pjer Laval. Të dy ata u konsideruan bashkëpunëtorë nga popullata franceze sepse qeveria e Vishit ishte shumë e përshtatshme për ushtrinë pushtuese gjermane, që vendosi të gjitha llojet e kufizimeve për francezët. Së bashku me qeverinë, dy akademi ushtarake, St. Sir dhe Lë Pritane Militer, u larguan nga zona e pushtuar dhe u vendosën në kazermat ushtarake, që ishin liruar nga ushtarët francezë të dërguar në front. Gjithë ushqimi i disponueshëm ishte kërkuar nga gjermanët dhe ne filluam të kishim dyqane kasapësh, që shisnin mish kali, i cili, meqë ra fjala, ishte shumë i shijshëm.
Urdhrat e parë gjermanë ishin që çdo hebre në zonën e pushtuar duhej të vinte një Yll të verdhë të Davidit në veshjet e tyre. Hebrenjtë ishin në shtetrrethim dhe, ndonëse jetonim në një zonë të papushtuar, vazhdonim të dëgjonim se disa nga popullata franceze ndihmuan gjermanët të arrestonin hebrenjtë gjatë natës. Nuk morëm më asnjë lajm nga këta njerëz të mjerë.
Ne gjithashtu mësuam nga ata, që ia dolën mbanë të anashkalonin vijën kufindarëse, se mijëra hebrenj parizianë, përfshirë fëmijë, u grumbulluan dhe u lanë në velodromin dimëror të Parisit dhe “u harruan” atje. Ata që i mbijetuan të ftohtit dhe qëndrimit jashtë u dërguan në Aushvic.
Jetonim me frikë të vazhdueshme. Ne u bombarduam nga avionët e aleatëve, që po përpiqeshin të shkatërronin dy kazermat ushtarake franceze në lagjen tonë, dhe kishim frikë se mos zgjoheshim gjatë natës për t’u dëbuar, të tradhtuar nga vetë bashkatdhetarët tanë.
Ne ishim të uritur. Racionet tona përfshinin një copë të vetme bukë 200 gramëshe në ditë. Sigurisht, nuk kishim vezë, miell, gjalpë, sheqer apo çokollatë. Vetëm mishi i kalit ishte në dispozicion, por edhe ai shpejt u zhduk nga dyqanet, duke u drejtuar te trupat pushtuese.
Një nga urdhrat e parë të vendosur nga ushtria gjermane ishte ndalimi i çdo shprehjeje nacionaliste të këngëve patriotike ose paradave ushtarake në qytet. Më 14 korrik, duke qenë Dita Franceze e Bastijës, të gjithë ishin në ankth duke pritur me padurim se çfarë do të bënin kadetët në qytetin tonë, duke marrë parasysh ndalimin e gjermanëve. Si do ta festonin Ditën e Pavarësisë së Francës?
Më 14 korrik 1940, të gjithë kadetët nga akademitë ushtarake St. Sir dhe Lë Pritane, duke mbajtur veshur uniformat e tyre më të mira, shfaqën përbuzjen e tyre dhe parakaluan në bulevardet e qytetit, ku kishte selinë komandatura gjermane. Ata kënduan këngë patriotike, të tilla si,

Vous avez eu l’Alsace et la Lorraine
Mais malgré tout nous resterons Français
Vous avez eu l’Alsace et la Lorraine
Mais notre coeur vous ne l’aurez jamais.

Ju na morët Alsasën dhe Lorenën
Por pavarësisht gjithçkaje ne do të mbetemi francezë
Ju na morët Alsasin dhe Lorenën
Por zemrat tona nuk do t’i merrni kurrë.

Çuditërisht, nuk pati hakmarrje ose ndëshkime të frikshme përveç ndalimit të kadetëve për t’u larguar nga kazermat e tyre për një muaj. Pati një gëzim të madh, pasi raprezaljet mund të kishin qenë jashtëzakonisht të ashpra.
Midis njerëzve që ia dolën mbanë të kalonin vijën kufindarëse, njëri prej tyre qëndron në mendjen time: Ai ishte një hebre hungarez, z. Spicer, i cili kishte jetuar në Paris dhe tani po përpiqej të mbijetonte në zonën e papushtuar.
Ai punoi si një “plongeur” (pjatalarës) në një restorant dhe vinte në shtëpinë tonë për pak shoqëri. Me frëngjishten e tij të çalë, ai na tha se një ditë, ndërsa po kthehej nga puna, pa gruan dhe fëmijët e tij duke u marrë me një kamion nga gjermanët. Ai e dinte që ishte i pafuqishëm dhe nuk mund të bënte asgjë për t’i shpëtuar ata. Po qaja dhe mbaj mend babanë tim që thotë “Tu vois, tu as fait pleurer my fille”. (E sheh, ma bëre vajzën time të qajë).
E tija vështirë se mund të quhej një histori e veçantë në ato ditë. Të gjithë kishim frikë për jetën tonë. Të gjithë kishim frikë nga internimi, dhe më keq.

Конец ознакомительного фрагмента.
Текст предоставлен ООО «ЛитРес».
Прочитайте эту книгу целиком, купив полную легальную версию (https://www.litres.ru/pages/biblio_book/?art=65494922) на ЛитРес.
Безопасно оплатить книгу можно банковской картой Visa, MasterCard, Maestro, со счета мобильного телефона, с платежного терминала, в салоне МТС или Связной, через PayPal, WebMoney, Яндекс.Деньги, QIWI Кошелек, бонусными картами или другим удобным Вам способом.